Jazz-i në Shkodër
Fundjavën e parë të muajit korrik planifikojeni ta kaloni në Shkodër.

Eileina, këngëtarja e njohur britanike e muzikës soul dhe Diego Borotti Quartet do të jenë nga grupet dhe artistët që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të Shkodra Jazz që do të zhvillohet nga data 2 deri në datën 5 korrik në Shkodër.
Ky është edicioni i katërt i Shkodra Jazz Festival, i cili nisi në vitin 2005 për kujtim të muzikantit të njohur Rrok Jakaj.
“Më kanë folur për atmosferën që krijohet në këtë festival të ri jazzi, dhe pranova menjëherë të marr pjesë sepse i afrohet mënyrës se si e jetoj unë vetë muzikën,” thotë Eileina, njëra prej yjeve më të njohura të muzikës soul sot në botë, e cila ka kënduar edhe përkrah Paul Young-ut dhe Zucchero “Sugar” Formaciani-t.

Në festival do marrin pjesë dhe duoja Manomanouche nga Torino, që luan muzikë Gypsy Jazz me dy kitara akustike dhe i mirënjohuri shqiptar Markelian Kapedani, i cili me trion e drejtuar prej tij do të luajë zhanrin në të cilin po punon kohët e fundit, Balkan Jazz. Kori Prekë Jakova me 26 koristë, i drejtuar nga maestro Gjon Shllaku, do të këndojë disa pjesë swing gospel.
Festivali do të zhvillohet në sallat e Teatrit Migjeni dhe Kinemasë Millenium në Shkodër, dhe në rrugët e qytetit, i shoqëruar nga një projekt ndërkombëtar i artit viziv, një videoprojeksion të ndërtuar nga italiani Michele Robecchi dhe spanjolli Raul Martinez, te Art Bus, me artistë të ndryshëm ndërkombëtare, ku merr pjesë dhe artisti shqiptar Adrian Paci.
Ai do vazhdojë deri natën vonë nëpër disa bare dhe restorante të njohura të qytetit, ku muzikantet do të përfshihen në jam sessions.
Diego Borotti, nje torinez që luan saksofon tenor dhe të cilin faqja e internetit piazzalive.it e konsideron “njërin prej pjesëmarrësve më të rëndësishëm të panoramës jazz italiane,” do të performojë me kuartetin e tij në datën 5 korrik në mbrëmjë në Teatrin Migjeni. “Rikthimi në Shkodër për mua është me të vërtetë një kënaqësi, jo vetëm në kujtim të mikut tim Rrokut por dhe publikut të ngohtë që ndjek këtë festival që tashmë ka hyrë në rrjedhat ndërkombëtare të jazz-it.”Ai do pasohet në skenë nga Eileina.
Manomanouche duo do të luajë në datë 3 korrik, ndërsa Markelian Kapedani në datë 4 korrik.
Paraditeve të festivalit, muzikantët do të ofrojnë dhe leksione Masterclass që do përqëndrohen në do improvizimin dhe karakterisitkat etnike në jazz, ndërsa artistët vizuale do të merren me “investigimin e hapësirës mes ‘iluzionit dhe deluzionit.’”
Gjithashtu, në ditët e festivalit, në trotuarin pranë Kafes së Madhe, objektit historik të qytetit, kompozitori dhe muzikologu i njohur Zef Çoba do të drejtojë Shkodra Sounds Corner, ku muzikantë të shquar të qytetit do të diskutojnë për muzikën dhe do të luajnë, në praninë e një videoprojektori 52 inch.
Ne fakt, festivali ka nisur me kohë. Një nismë, Shkodra Jazz in Tour, ka perfshirë shumë muzikante që kanë marrë pjesë në të në aktivitete në Cuneo dhe Torino në Itali, Rosenheim të Gjermanisë, dhe përfundon në një konferencë për shtyp në Aeroportin Nënë Tereza në datë 3 korrik.
Ai administrohet nga Shoqata Kulturore Rrok Jakaj dhe Optional Music International, dhe ka për synim të ringjallë “ndjenjën e lirisë kulturore në një qytet me traditë të lashtë muzikore dhe artistike si Shkodra, dhe për ti rikthyer një ‘kolonë zanore’ që ta përfaqësojë në të gjithë evolucionin e vet krijues.”
Veprimtaria e sivjetshme mbështetet nga kompania e telefonisë celulare AMC, Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza, Tiranë, Bashkia e Shkodres dhe disa nga restorantet dhe baret më të njohura të qytetit.
Për më shumë hollësi drejtohuni në faqen e internetit: www.shkodrajazz.com, ose kontaktoni me Florian JakajQuesto indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo., ose me Ardian Dodanin në numrin e telefonit + 355(0)692073160.