Vleresimi aktual: 0 / 5

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Zbulimi i rrallë, që vjen sërish nga juglindja e vendit, ka pasuruar hartën arkeologjike me një vendbanim të ri, që, sipas përcaktimit të specialistëve arkeologë, është nga më të mëdhatë në shkallën mesdhetare.

Një nga vendbanimet më të mëdha prehistorike neolitike, me një sipërfaqe prej 8 hektarësh, ka qenë edhe zbulimi që për një vit rresht ka mbajtur në terren për studime, kërkime dhe sondazhe, ekipin e arkeologëve, të cilët kanë bërë të ditur se, krahas materialeve të pasura arkeologjike të këtij vendi, janë zbuluar dy atelie që përdoreshin nga banorët prehistorikë për punimin e veglave të punës prej guri. Vendbanimi me një shtrirje të madhe në bregliqen është i pozicionuar në zonën e Prespës së Madhe, në Korçë dhe njihet si vendbanimi i Kallamasit, ose me toponimin Ostrovo.
Prof. Petrika Lera, që ka udhëhequr ekipin e punës, thotë se gjatë eksperiencës 30-vjeçare të gërmimeve në terren në pellgun e Korçës, zbulimet e fundit mund të konsiderohen nga më interesantet. “Sipas planit të këshillit shkencor është kryer ky gërmim në vendbanimin prehistorik neolitik në breg të liqenit në Prespën e Madhe dhe konkretisht në një vendbanim të zbuluar rastësisht, por që ka hedhur dritë mbi zhvillime të rëndësishme arkeologjike dhe që lidhen me zhvillimin e jetës së komunitetit të banorëve prehistorikë.
Ky kërkim ka si synim të sqarojë dy probleme kryesore, shtrirjen në hapësirë të këtij vendbanimi dhe studimin për fillimin e jetës së këtij vendbanimi. Ky vendbanim është përcaktuar në një hapësirë që ka një shtrirje tepër të madhe, duke e renditur vendbanimin prehistorik neolitik të Kallamasit në një nga vendbanimet më të mëdha të zbuluara në shkallën mesdhetare. Sipas Petrika Lerës, nga kërkimet dhe sondazhet përgjatë një viti është konstatuar se jeta në këtë vendbanim fillon aty nga neoliti i mesëm, dhe vazhdon deri në neolitin e vonë në fazën më të hershme të saj. Kjo është situata stratigrafike e sotme në vendbanimin e Kallamasit dhe mund të themi se vendbanimi i Kallamasit i njohur me toponimin Ostrovo përfaqëson një nga vendbanimet me intensitet më të madh jete. Kjo tregohet nga sasia e madhe e materialit arkeologjik, që ka dalë në sipërfaqe si rezultat i punimeve të herëpashershme të tokës. Ndërkohë ajo që përbën edhe interesin më të madh është fakti se këtu gjatë ekspeditës janë zbuluar dy atelie, ose punishte të materialeve dhe veglave të punës prej guri.

Ajo që është shumë e rëndësishme është se kemi mundur të identifikojmë në këtë vendbanim prehistorik neolitik këto dy atelie apo punishte të përgatitjes së veglave të punës prej guri, është interesante se guri, me të cilin punoheshin veglat e punës nuk ka qenë gur i zonës, por i importuar, gjë që tregon për marrëdhëniet me vendet e tjera të afërta të banorëve të hershëm krahas zbulimit të zejtarisë dhe të aktivitetit, me të cilin angazhohej popullsia. Komuniteti prehistorik neolitik i Kallamasit pas përpunimit të këtyre veglave dhe përdorimit për nevoja të komunitetit, mendohet se edhe i eksportonte këto punime për një treg të caktuar për të plotësuar edhe kërkesat e komuniteteve të tjera neolitike më të largëta ose më të afërta. Arkeologët, që janë marrë me zbulimin e këtij vendbanimi të hershëm, tregojnë se nga gërmimet rezulton se ka material të bollshëm të qeramikës, të enëve me përmasa dhe dimensione të ndryshme e të zbukuruara me forma të ndryshme që flasin për botën e popullsisë, që jetonte në këtë pellg dhe zhvillimet e natyrës kulturore dhe artizanatit, krahas faktit se ka pasur një intensitet jetese. Përveç enëve të shumta në punishte dhe në zonën ku janë kryer gërmimet e ekspeditës së radhës është zbuluar dhe një sasi e madhe e materialit arkeologjik, të përfaqësuar kryesisht nga punimet prej guri, kocke, stralli, briri, ndërsa më tepër tërheqin vëmendjen veglat e punës prej guri, të cilat janë dhe ato me interes më të madh, pasi shfaqen për të parën herë në këto vendbanime të shumta të pellgut të Korçës. Ekspedita e përbashkët e grupit shqiptaro-francez është shtrirë në zonën mes Bezmishtit dhe Goricës. Faza e dytë e punës do të jetë ajo e programit arkeologjik të kërkimeve nëpërmjet projeksionit, ose vrojtimit të terren, me të cilën ekipi është angazhuar që gjatë vitit të kaluar në disa zona, dhe kryesisht në pjesën veriore të fushës së Korçës. Projeksioni ka qenë i rëndësishëm dhe i suksesshëm, pasi ka njohur me 8 vendbanime, që i përkasin prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës. Këtë vit mendojmë të zhvillojmë një fushatë të dytë prospeksioni për të parë pasuritë që fshihen në fushën e dëshmive dhe materialeve të shumta arkeologjike. Objektivi është që vrojtimi në terren të bëhet në raport me evolucionin që ka pasur liqeni i vjetër i Maliqit me avancimet dhe tkurrjet e tij dhe reagimet e popullsive të vjetra, që jetonin përreth tij, pasi, siç na kanë treguar gërmimet e deritanishme në zonën e Sovjanit, situata klimaterike dhe ajo floristike kanë qenë të lidhura me liqenin dhe në këto kushte edhe jeta e banorëve. Ky evolucion ndiqet që nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit deri në periudhën romake. “Interesi është të njihemi me qendrat e banuara prehistorike në këtë rajon, lidhjen e njerëzve në raport me liqenin dhe evolucionin në periudha të ndryshme kohore”, shprehet Cecille Oberëhite, shefja franceze e kantierit. Për dhjetë vjet rresht, ky ekip ka kryer gërmime të shumta në pellgun e Korçës, i cili është më i pasuri me vendbanime të hershme, ku në hartën arkeologjike numërohen 100 të tilla.

Albtourist.net - 2017